Reagimi i Kryetarit Halimi në lidhje me shkarkimet e fundit

Reagimi i Kryetarit Halimi në lidhje me shkarkimet e fundit

Pas mbledhjes së parë të treshes së organit të dhunshëm me 33 pika të rendit të ditës vazhdoi edhe mbledhja e dytë me 19 pika të tjera të rendit të ditës, me ç’rast i aprovuan vendimet që janë ekskluzivisht me kompetencë të Kuvendit Komunal të komunës së Preshevës dhe në këtë mënyrë po vazhdojnë shkeljet e rënda të normave kushtetuese dhe ligjore.

Në kundërshtim flagrant me Nenin 86 alinenë 4 të Ligjit për pushtet lokal në bazë të cilit këshilli i përkohshëm mundë të kryej vetëm punë rrjedhëse dhe të pashmangshme, mirëpo, në rastin e këtij organi të dhunshëm po aprovohen Statute të ndërmarrjeve dhe institucioneve publike, u ndryshua Vendimi i administratës komunale, u shkarkuan dhe emëruan Këshillat mbikëqyrës e drejtues të ndërmarrjeve dhe institucioneve publike për të i shkarkuar në mënyrë joligjore drejtorët e këtyre institucioneve si në rastin e shtëpisë së shëndetit, ndërmarrjes komunale “Moravica” dhe Fondit për qëllime humanitare.

Me siguri në ditët vijuese do të vazhdojnë shkarkimet dhe vendimet e tjera joligjore, me të cilat do të realizohet misioni i mbrapshtë i degradimit të sistemit të pushtetit lokal në Preshevë. Shembulli i shkarkimit të dr. Reshat Ymerit nga funksioni i drejtorit të shtëpisë së shëndetit një muaj para pensionimit të tij, më së miri tregon se kryetari i dhunshëm, në aktivitetin ea tij të dëmshëm është duke u bazuar vetëm në inatin dhe teket e tij, duke e realizuar strategjinë e tij të shkatërrimeve të institucioneve të pushtetit lokal të paralajmëruar qysh në kohën e koalicionit me PVD-në.

Opinioni është i njoftuar me incidentin që krijoi mosmarrëveshjet e para në mes koalicionit PVD – APN, kur drejtori i shtëpisë së shëndetit nuk lejoi ndërtimin e egër të zyrës së zëvendësdrejtorit nga radhët e APN-së. Pra, shkarkimi i dr. Reshat Ymeri nga pozita e drejtorit të shtëpisë së shëndetit në vend të shpalljes së konkursit të rregullt për drejtor të këtij institucioni, nuk mund të kuptohet ndryshe pos si hakmarrje personale e kryetarit të treshes së dhunshme. Kjo përshtypje përforcohet edhe më tepër me faktin kur si ushtrues detyre të drejtorit të shtëpisë së shëndetit u emërua pikërisht ish zv.drejtori që kërkonte zyre speciale. Mjerisht ky kryetar i dhunshëm nuk u lodh fare me faktet e pamohueshme se drejtori i deritanishëm për punën e tij si mjek rregullisht kishte notë maksimale (8.99) nga ana e Ministrisë së shëndetësisë, derisa u.d.drejtori që ai po e instalon gjithmonë vlerësohet nga Ministria me notën më të dobët të mundshme (1.04).

Është krejtësisht e qartë se strategjia e masave të dhunshme ka për mision degradimin e komunës së Preshevës me imponim të dhunshëm të udhëheqësve komunal me nivelin më të ultë profesional në historinë e Preshevës, të cilët duke avancuar joprofesionalizmin dhe papunësinë po detyrojnë largimin e të rinjve nga Presheva.

Në këto momente të rënda për Preshevën, duke shpresuar se së shpejti do të i kalojë koha masave të dhunshme, është e rrugës të theksohet se në udhëheqjen një vjeçare të shtëpisë së shëndetit nga dr.Reshat Ymerit u arritën rezultate të konsiderueshme.

Me ndihmën e buxhetit të Komunës me lartësi rreth 4000000 dinar u kryen renovime të ordinancave, nyjave sanitare dhe hapësirave tjera; gjithashtu u sigurua uji dhe pajisje tjera të domosdoshme për punën e rregullt të shtëpisë së shëndetit.

Kurse nga donatorët ndërkombëtar u siguruan pajisje shumë të rëndësishme dhe moderne me vlerë mbi 240000 euro:

  • Ambasada Norvegjeze siguroi rregullimin e ordinanca e radiologjisë, gjithashtu u siguruan aparati i radiologjisë dhe mamografi nga donacioni me lartësi prej 150000 euro
  • Ambasada e Japonisë siguroi aparatin CTG për gjinekologji me vlerë prej 37000 euro dhe autoambulancë të tipit Peugoet me vlerë prej 33200 euro
  • Ambasada Gjermane siguroi pajisje dhe instrumente në lartësi prej 10000 euro.

Sigurisht që shtëpia e shëndetit ka nevojë edhe për pajisje të tjera, për rritjen e numrit të personelit profesional si dhe për ndërtimin e objektit të emergjencës, projekt për të cilin është konkurruar në Zyrën qeveritare për investime publike në bashkëfinancim me donatorë ndërkombëtar, i cili ishte në fazën e përgatitjeve gjatë mandatit të kryetares Sinani.

Është evidente që brenda afatit shumë të shkurt një vjeçar dr.Reshat Ymeri si drejtor në këtë institucion dha një kontribut shumë të rëndësishëm që meriton një falënderim dhe mirënjohje të përgjithshme publike.

23.10.2017, Preshevë
Riza Halimi
Kryetar i Partisë për Veprim Demokratik

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *
You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>